LIGJI NR (rks-gov.net)

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 3 / 31 JANAR 2013, PRISHTINË
LIGJI NR. 04/L-139
PËR PROCEDURËN PËRMBARIMORE

Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton

LIGJ PËR PROCEDURËN PËRMBARIMORE

PJESA E PARË

KREU I
DISPOZITAT THEMELORE

Neni 1
Qëllimi dhe fushëveprimi i ligjit

1. Ky ligj rregullon procedurën përmes së cilës Gjykatat dhe përmbaruesit privat përcaktojnë dhe
zbatojnë përmbarimin në bazë të dokumenteve përmbarues dhe dokumenteve të besueshme, përveç
nëse me ligj të veçantë parashihet ndryshe.

2. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për përmbarimin e vendimit të marrë në procedurën
administrative dhe për kundërvajtje me të cilin është caktuar detyrimi në të holla, përveçse kur për
përmbarimin e tillë është paraparë me ligj kompetenca e organit tjetër.

3. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe në përmbarimin në anije dhe në mjet fluturues përveç nëse kjo
çështje rregullohet me ligj të veçantë.

4. Ky ligj rregullon edhe kryerjen e veprimtarisë së përmbaruesve privat.

Neni 2
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Procedura e përmbarimit – i referohet çfarëdo veprimi të ndërmarrë bazuar në vendimin
përmbarues gjatë zbatimit të atij vendimi;

1.2. Kredia – e drejta për realizimin e shumës së të hollave apo të ndonjë dhënieje, veprimi,
mosveprimi apo pësimi;

1.3. Kreditor – personi, kredia e të cilit realizohet në procedurë të përmbarimit të
detyrueshëm;

1.4. Debitor – personi kundër të cilit realizohet kredia;

1.5. Pjesëmarrës – personi që në procedurën e përmbarimit e realizon ndonjë të drejtë apo
interes juridik, e që nuk është palë në procedurën e përmbarimit;

1.6. Palë – kreditori apo debitori në procedurën përmbaruese;

2

1.7. Person i tretë – një person tjetër që nuk është kreditori apo debitori, i cili ka të drejta apo
detyrime e mbi të cilin ngarkohen të drejtat apo obligimet nga procedura përmbaruese, apo të
drejtat apo obligimet e së cilit janë të prekura direkt nga procedura përmbaruese;
1.8. Dokument Përmbarues – dokument në bazë të cilit fillohet procedura e përmbarimit;

1.9. Organi përmbarues – Gjykata apo përmbaruesi privat që vepron në pajtim me dispozitat
e këtij ligji;

1.10. Përmbaruesi i Gjykatës – i punësuari në sistemin gjyqësor i cili drejtpërdrejt kryen
veprime përmbaruese të caktuara;

1.11. Përmbaruesi privat – personi fizik i emëruar nga Ministri i Drejtësisë në pajtim me
dispozitat e këtij ligji, i cili në kryerjen e autorizimeve publike të besuara sipas këtij ligji,
vendos për veprimet nga kompetenca e tij në zbatimin e përmbarimit të lejuar dhe ndërmerr
veprime për përmbarim.

1.12 Urdhri për përmbarim – vendimi i përmbaruesit privat me të cilin pranohet plotësisht
apo pjesërisht propozimi për kryerjen e përmbarimit;

1.13. Aktvendimi për përmbarim – vendimi i Gjykatës përmes së cilit propozimi për
përmbarim pranohet plotësisht apo pjesërisht apo përmbarimi urdhërohet sipas detyrës
zyrtare;

1.14. Regjistri publik i paluajtshmërive – të gjitha librat publike në të cilat regjistrohen të
drejtat për sendet e paluajtshme;

1.15. Letra me vlerë – dokument i shkruar ose elektronik në bazë të cilit ekziston një e drejtë
ose përmban një të drejtë mbi të cilin kërkohet përmbarimi;

1.16. Aksione – letër me vlerë e cila është regjistruar në regjistrin e letrave me vlerë në të
cilën zbatohet përmbarimi;

1.17. Banka – banka apo organizata financiare e cila kryen punët e qarkullimit të pagesave;

1.18. Parashënimi – lloj regjistrimi në librat publike me të cilin kushtimisht fitohen, barten apo
shuhen të drejtat për sendet e paluajtshme dhe sendet tjera që janë objekt përmbarimi;

1.19. Bujku – personi që si burim kryesor ka të ardhura nga bujqësia;

2. Të shprehurit në një gjini gramatikore, femërore apo mashkullore në këtë ligj, përfshinë të dyja
gjinitë e personave fizik.

Neni 3
Organi përmbarues dhe vendimet

1. Procedurën e përmbarimit në shkallë të parë e udhëheq dhe për te vendosë përmbaruesi privat,
ndërsa përjashtimisht gjyqtari individual kur me këtë ligj është caktuar se përmbarimin e cakton dhe
zbaton Gjykata (organi i shkallës së parë). Organi përmbarues vendos për propozimin e përmbarimit
brenda afatit prej shtatë (7) ditëve pas pranimit të propozimit.

2. Në shkallën e dytë vendimet i nxjerrë gjyqtari individual.

3. Nëse vendimi për realizimin e detyrueshëm të kredisë merret në ndonjë procedurë tjetër gjyqësore,
ai vendim merret nga Gjykata në përbërjen sipas të cilës udhëhiqet ajo procedurë gjyqësore

4. Vendimet në procedurën e përmbarimit organi përmbarues i nxjerrë në formë të aktvendimit ose
urdhrit për përmbarim.

5. Konkluzioni nxirret për zbatimin e disa veprimeve dhe për drejtimin e procedurës.

3

Neni 4
Fillimi i procedurës

1. Procedura e përmbarimit fillohet me propozimin e kreditorit.

2. Procedura e përmbarimit fillohet nga Gjykata sipas detyrës zyrtare kur me ligj parashihet një gjë e
tillë.
Neni 5
Kompetenca

1. Përmbarimin e cakton dhe zbaton organi përmbarues i paraparë me këtë ligj, po qe se me ligj tjetër
nuk është paraparë ndryshe.

2. Gjykata kompetente ka kompetencë lëndore për të urdhëruar dhe për të kryer përmbarimin si dhe
për të vendosur për çështjet gjatë procedurës në pajtim me dispozitat e këtij ligji përveç nëse Gjykatat
dhe autoritetet tjera përmbaruese kanë juridiksionin për të urdhëruar dhe për të kryer përmbarimin si
dhe për të vendosur për çështjet gjatë procedurës.

3. Përmbaruesi privat nxjerr urdhër në bazë të propozimit për kryerje të përmbarimit dhe kryen
përmbarimin me qëllim të plotësimit të kërkesës së debitorit në bazë të dokumentit përmbarues,
përveç nëse ndryshe parashikohet me ligj që urdhëron që përmbarimi dhe kryerja e përmbarimit të
bëhet brenda juridiksionit të Gjykatës.

4. Kompetenca territoriale për të vendosur për çështjet lidhur me aplikimin e procedurave
përmbarimore caktohet me dispozitat e këtij ligji, varësisht nga mjetet dhe objekti i përmbarimit, si dhe
në bazë të statusit të organit përmbarues.

5. Për të vendosur çështjet që kanë të bëjnë me çdo prapësim, ankesë, parregullsi në procedurën
përmbaruese sipas nenit 52 dhe 67 të këtij ligji, ose çfarëdo lloj procedure kundër veprimeve të
ndërmarra nga Përmbaruesi privat, kompetencë ka Gjykata kompetente në territorin e së cilës debitori
ka vendbanimin apo nëse nuk ka vendbanim ne Kosovë, atëherë në territorin në të cilin ka
vendqëndrimin nëse është person fizik. Nëse debitori është person juridik, kompetencë territoriale ka
Gjykata kompetente ku gjendet selia e debitorit. Nëse debitori nuk ka vendbanim të përkohshëm ose
seli në Kosovë, kompetencë ka Gjykata kompetente në territorin e se cilës gjinden sendet e luajtshme
dhe të paluajtshme e të cilat janë objekt përmbarimi.

6. Gjykata është kompetente të vendos në procedurën e përmbarimit dhe të zbatoj përmbarimin e
vendimeve gjyqësore lidhur me:

6.1. të gjitha çështjet nga e drejta familjare dhe

6.2. kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civil në punë dhe kompensimet tjera.

Neni 6
Urgjenca dhe rendi i veprimit

1. Në procedurën e përmbarimit organi përmbarues ka për detyrë të veprojë me ngutshmëri.

2. Organi përmbarues ka për detyrë që lëndët t’i marrë në punë sipas radhës që i ka pranuar, përpos
kur natyra e kredisë ose rrethanat e posaçme kërkojnë që organi përmbarues të veprojë ndryshe.

3. Organi përmbarues mund të konkludojë se natyra e kredisë kërkon trajtim të përshpejtuar të rastit
nëse ka rrezik legjitim që pasuritë e debitorit në atë rast të mos jenë në dispozicion për konfiskim apo
do t’i bie vlera shumë në rast të vonesës. Gjyqtari mund të pranojë ekzistimin e rrethanave të veçanta,
dhe të veprojë shpejt, në rastet që kanë të bëjnë me punësimin, çështjet familjare, alimentacionin apo
pagesat për fëmijë nëse interesat e palës mund të ndikohen negativisht si rezultat i vonesës.
4

Neni 7
Mjetet dhe objekti i përmbarimit

1. Mjete të përmbarimit janë veprimet përmbarimore ose sistemi i veprimeve të tilla, me të cilat sipas
ligjit kërkesa realizohet me detyrim.

2. Objektet e përmbarimit janë pasuria dhe të drejtat tjera që mund t’i nënshtrohen përmbarimit,
përveç atyre që përjashtohen nga përmbarimi me ligj dhe aktet ndërkombëtare të zbatueshme në
Kosovë.

3. Veprimet përmbarimore mund të kryhen drejtpërdrejtë kundër debitorëve dhe personave tjerë, në
pajtim me këtë ligj.

Neni 8
Objektet që nuk i nënshtrohen përmbarimit

1. Objekt përmbarimi nuk mund të bëhen sendet jashtë qarkullimit juridik, pasuritë nëntokësore dhe
pasuritë tjera natyrore.

2. Objekt përmbarimi nuk mund të bëhen objektet, armatimi dhe pajisjet e forcave të armatosura dhe
të policisë, e as mjetet financiare të siguruara për dedikime të këtilla.

Neni 9
Mbrojtja e dinjitetit të debitorit

1. Gjatë zbatimit të procedurës së përmbarimit, duhet kushtuar vëmendje mbrojtjes së dinjitetit të
debitorit, dhe përmbarimi të jetë sa më pak i dëmshëm që është e mundshme për debitorët.

2. Organi përmbarues ka për detyrë që me rastin e ekzekutimit të vendimit dhe të identifikimit të
sendeve të veprojë me respektin e duhur të personalitetit të debitorit dhe të anëtarëve të familjes së
tij.

3. Nëse ekziston ndonjë arsye legjitime dhe nëse organi përmbarues ka miratimin për të kryer
përmbarimin gjatë ditëve të pushimit dhe gjatë orëve të natës, organi përmbarues gjithashtu mund të
kryej përmbarimin në shtëpinë e debitorit gjatë ditëve të pushimit apo orëve të natës.

Neni 10
Përcaktimi i mjeteve dhe objekteve të përmbarimit

1. Gjykata me aktvendim, ose përmbaruesi privat me urdhër për përmbarim, e cakton përmbarimin
ndaj atyre mjeteve dhe në ato objekte të përmbarimit që janë specifikuar në propozimin për
përmbarimin.

2. Përmbarimi përfshinë një apo të gjitha mjetet dhe objektet e përmbarimit të paraqitura në
propozimin për përmbarim gjersa kërkesa të realizohet plotësisht.

3. Me propozim të kreditorit apo sipas detyrës zyrtare, organi përmbarues mund të vendosë, përmes
urdhrit për përmbarim që përmbarimi të zbatohet ndaj pasurisë së debitorit që mund të jetë subjekt i
përmbarimit, pa deklaruar mjetet dhe objektet e përmbarimit deri në limitin që mjafton për realizimin e
kredisë së kreditorit.

4. Nëse organi përmbarues sekuestron më shumë mjete sesa nevojiten për të realizuar kredinë, pjesa
tjetër i kthehet debitorit në afat prej tridhjetë (30) ditësh.

 

festatzyrtare21